Dikur, trajneri i famshëm i Tiranës së viteve 60-të (17 Nëntorit të atëhershëm), Myslym Alla, deklaronte se “nuk bëhet bukë gruri me miell misri”. Niko Kovaç, tekniku i Bajernit me siguri nuk ka dëgjuar ndonjëherë për Lymin, por pak a shumë përdori shprehjen e tij, veçse sipas versionit bashkëkohor. “Nuk mund të ecësh në autostradë me 200 km në orë, me një makinë që nxjerr 100 km në orë”, – tha ai.
Kjo makinë “rrangalle” nuk është tjetër përveçse Bajerni i tij, që po kritikohet për lojë të ngadaltë, sidomos nëse e krahason (le të themi) me Liverpulin e Jurgen Klopit. Kovaç e ka të qartë se të kuqtë vrapojnë me 200 km në orë, por ai thekson se “që të bëhet kjo tek Bajerni, duhet të kesh lojtarë të tillë”. Bavarezët janë ndërtuar ndryshe dhe disa nga lojtarët nuk janë më aq të rinj, të tillë si Levandovski, Tomas Myler, Filip Kutinjo, Zherom Boateng, Havi Martinez apo të tjerë. Nuk dihet nëse kroati do të ketë mundësi të ndryshojë përbërjen e ekipit, ku ka edhe disa më të rinj si Kimih, Pavar, Lukas Hernandez, Gnabri, Koman apo Toliso.
Sfidanti.al