Ka dy lloj mbijetesash në futboll, njëra e fituar në fushën e lojës, dhe tjetra në zyrat e llogarive. Barcelona nuk ka pasur probleme për të fituar ndeshjet dhe trofetë, aq sa nuk numërohen gjithë këta vjet, por duket se nuk ka qenë po kaq efektive edhe në administrim. Tani paska ardhur puna që duhet me patjetër të transferojë lojtarë, që të krijojë një shumë prej 110-120 milionë eurosh, për të qenë në rregull me ligjet e UEFA-s për Lojën e Ndershme Financiare.
Presidenti Bartomeu dhe ndihmësit e tij po përpiqen ethshëm që të bëjnë të mundur shitjen e kartonëve të Ivan Rakitiçit, Filip Kutinjos dhe Arturo Vidalit. Kjo gjë duhet të ndodhë deri në 30 qershor, dhe duhet bindur Bajerni për të marrë Kutinjon, si dhe duhet punuar me Mançester Junajtidin apo Interin për kroatin Rakitiç. Natyrisht, mund të largohen edhe Samuel Ymtiti apo Malkom, por kjo do të varet gjithnjë vetëm nga ofertat. Rakitiç mund të transferohet për nja 35 milionë euro, gjë që nuk do të ishte keq, por përsa i përket Kutinjos, Barcelona do të dilte “me këpucë të kuqe”, pasi shpenzoi 160 milionë për ta marrë nga Liverpuli, ndërsa do të duhet ta largojë për shumë më pak.
Sfidanti.al