“Parandjenja” nuk mund të ishte e gabuar. Titujt e fituar dhe golat e shënuar ishin garancia më e mirë dhe Kristiano Ronaldo u shpall fitues i Topit të Artë të “Frans Futbollit” për vitin 2016. Ylli portugez, kampion i Europës me klubin dhe kombëtaren, la pas rivalin e madh Lionel Mesi, duke pasur tani katër trofe të tillë, një më pak se argjentinasi. Ishin 173 gazetarë nga e gjithë bota që votuan këtë herë në anketën ekluzivisht të revistës franceze, që pas 6 vjetësh e organizon pa FIFA-n.
Ronaldo mbetet vërtet një Top të Artë pas Mesit, por ka qenë lojtari më i titulluar në këtë çmim në vitet e fundit. Ai e ka fituar atë në 2013, 2014 dhe 2016, duke mos mundur vetëm vitin e kaluar kur e fitoi gjigandi i Barcelonës. Aq ambicioz sa është CR7, padyshim do të përpiqet të realizojë një vit tjetër madhështor 2017 për t’u barazuar me Mesin. Padyshim, ai do të falte gjithçka (me përjashtim të parave dhe Topave të Artë) që t’ia dilte. Pas Ronaldos, në renditje janë Mesi, Grizman dhe Suarez, ndonëse “Frans Futbolli” nuk e ka zbuluar podiumin. Dihen që pas tyre janë Nejmar, Bejl, Mahrez, Vardi, Pepe dhe Bufon.
Ronaldo fitoi Ligën e Kampionëve me Realin, Superkupën e Europës po me Realin dhe Euro 2016-ën me Portugalinë. Ai shpreson të fitojë Kupën e Botës për klubet, por ajo nuk hyn në ”llogari” për trofeun. Madje, vetë portugezi nuk ishte në Paris për të tërhequr Topin pasi ndodhet në Japoni për të luajtur kompeticionin e fundit të vitit.