Pesë vjet pas “ferrit” të Beogradit, historia e ndeshjes që nuk përfundoi kurrë!

Ç’mund të ndodhte kur Shqipëria të luante në këtë qytet pas më shumë se gjysmë shekulli? Nëse në 1967, pati shqiptarë me qeleshe të bardha në kokë në stadiumin e Partizanit të Beogradit, këtë herë do të ishte krejt ndryshe. Parandjenja se diçka e keqe do të ngjante u krijua që përpara sesa kombëtarja shqiptare të zbriste në Aeroportin “Nikola Tesla” në 13 tetor 2014, pas një akordi për të mos u lejuar tifozët shqiptarë në Beograd, dhe ata serbë në Shqipëri, për duelin e kthimit në eleminatoret e Europianit. Gjithsesi, kush mund ta kishte menduar se shqiptarët do të kalonin një “ferr” të vërtetë.

Në të njëjtin stadium si në 1967, himni i Shqipërisë u vërshëllye rëndë, dhe thirrjet antishqiptare ushtuan me të madhe, bashkë me ofendimet. Në 41 minuta, arbitri anglez Martin Atkinson u detyrua ta ndërpriste ndeshjen dy herë, për hedhje të tymueseve, çakmakëve apo monedhave në fushë. Në të 41-ët u shfaq mbi stadium droni me një banderolë me fushë te zezë, me një hartë të Shqipërisë së madhe me ngjyrë të kuqe, dhe me dy personalitetet e Pavarësisë, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin.

Pakujdesia e arbitrit Atkinson nuk mund të kishte qenë më e madhe. Ai lejoi futbollistët serbë të kapnin të parin banderolën, dhe pas kësaj lojtarët shqiptarë reaguan. Pasi Balaj mori në dorë flamurin, tifozë serbë dhe deri forca të sigurisë sulmuan ekipin kuqezi, duke sjellë një sherr masiv. Të rrezikuar për jetën, lojtarët shqiptarë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes, bashkë me gjithë delegacionin. Në të njëjtën kohë, tifozë ultras serbë u përleshën me policinë dhe u përpoqën të hynin në fushë.

Në ambientet e brendshme të stadiumit, kombëtarja iu nënshtrua kontrollit të policisë, dhe me shumë vështirësi mundi të largohej drejt aeroportit për t’u kthyer urgjent në Shqipëri. Mbërritja në Rinas ishte triumfale, me mijëra tifozë që prisnin ekipin përfaqësues, duke i shprehur mbështetjen e tyre të plotë. Jehona ishte e jashtëzakonshme, pasuan procese gjyqësore sportive, dhe përfundimisht ndeshja iu dha Shqipërisë në tavolinë me rezultatin 3-0, ndërsa një vit më vonë kombëtarja arriti kualifikimin për në Euro 2016.

Sfidanti.al