Reja pa mëdyshje para Moldavisë: Duam fitore, synojmë ende vendin e dytë!

Kjo që ndodhi në “Elbasan Arena” duhet të përsëritet në Çisinau. Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, nuk ka asnjë dyshim për objektivin që skuadra e tij do t’i vendosë vetes mbrëmjen e kësaj të hëne në përballjen ndaj Moldavisë. Pavarësisht humbjes në Turqi, italiani nuk heq dorë nga arritja e diçkaje të madhe.

“Ne si Shqipëri kemi synim që të synojmë vendin e dytë deri në fund të këtij kompeticioni, – deklaroi ai, – E kemi si detyrim moral. Duhet të mbledhim maksimumin e pikëve tona, por varemi nga rezultatet e skuadrave të tjera. Na intereson veçanërisht të bëjmë paraqitjet që kemi bërë deri tani. Këtu në Moldavi nuk do të jetë e lehtë, siç e pamë në ndeshjen e parë në Shqipëri, që ishte shumë e vështirë për t’u fituar. Moldavia u tregua skuadër e fortë. Gjithsesi, ne luajmë në çdo ndeshje për të fituar, cila është ajo skuadër që nuk luan për të fituar?”

Gjithsesi, sa e ka marrë veten skuadra nga goditja e pësuar prej humbjes në Stamboll? “Në fund të ndeshjes ishim nervozë, por duhet të shohim përpara, sepse nuk përfundon futbolli në Turqi, – u shpreh italiani, – Duam vazhdimësi, duhet të mbajmë këtë nivel loje, dhe dua vazhdimësi edhe në rezultate. Dhe dua edhe më shumë hap pas hapi. Bëmë gabime dhe duhet të përmirësohemi”

Cili do të jetë formacioni i kombëtares në duelin ndaj Moldavisë? “Më duhet ende kohë për të vendosur për lojtarët, – foli trajneri, – Unë nuk jam nga ata që bëj shumë ndryshime, por mund të jetë e nevojshme të bëj ndryshime, sidomos në krahë apo në mesfushë. Do të doja të mbaja pak a shumë të njëjtën skuadër, nëse do të jenë mirë. Gjithsesi, ndryshime do të ketë pasi dua t’i jap frymëmarrje lojtarëve. Nëse do të jenë të gjithë mirë, nuk do të ndryshoj askënd”.

Shqetësimi i fundit për trajnerin, mos vallë i druhet një nënvleftësimi? “Jo, nuk kam frikë, pasi lojtarët tanë nuk kanë nënvleftësuar askënd, – theksoi ai, – Nuk ka ndeshje të lehta. Të mos harrojmë se Moldavia në Elbasan na vuri në vështirësi, kur luajti mirë, sepse është një skuadër e fortë, dhe shumë e zonja në planin teknik. Luan mirë me topin. Të zbresim në fushë me vendosmëri dhe vëmendje, sikur të kishim përballë një ekip të madh. Një mentalitet i tillë duhet të jetë në çdo ndeshje”.

Kapiteni Memushaj, në krah të trajnerit në konferencë, u shpreh se e gjithë kombëtarja duhet të përmirësohet në Moldavi, dhe jo vetëm sulmuesit, por theksoi se ekipi ka treguar rritje.

Sfidanti.al