Rekordi i ri i maratonës mund të vendoset me … shërbim meteorologjik!

Nuk do të jetë një garë klasike ku do të synohet arritja e madhe. Gara e maratonës mund të jetë më e vjetra dhe më historikja në sportin modern, por pikërisht ajo do të provojë ndihmën e “teknologjisë” për të përmirësuar rekordet. Atleti kenian, Eliud Kipçoge, do të zhvillojë një garë maratone në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, kur të jenë kushtet më të mira meteorologjike për të thyer rekordin botëror.

Skuadra e Kipçoges njoftoi se gara do të zhvillohet në 12 tetor, në orën nga 05:00 deri në 09:00 të mëngjesit, kur sipas parashikimit të motit, do të jenë kushtet më të mira për të vrapuar një maratonë. Merren parasysh temperatura, lagështia e ajrit apo shpejtësia e erës. Synimi i Kipçoges është të ulë kohën e rekordit në 2 orë. Gjithsesi, rekordi edhe nëse arrihet, nuk do të njihet nga Federata Botërore e Atletikës sepse keniani do të ketë disa ndihma që nuk lejohen, si një makinë që do t’i ruajë ritmin, si dhe 41 atletë ndihmës, të mbiquajtur “lepujt”.

Sfidanti.al