FSHF thotë se do jetë gati për Francën, por Arena Kombëtare ka ende shumë punë!

Qenka shumë e vështirë që ky stadium të bëhet gati. Edhe pse Arena Kombëtare do të jetë në gjendje të presë ndeshjen ndaj Francës në 17 nëntor, të paktën sipas sigurimeve në Federatë, sërish ka ende mjaft për t’u bërë. Delegacioni i UEFA-s, që do të bënte kontrollin, pritet të vijë pas datës 10 tetor, ndërsa ndeshja e provës gjenerale besohet se do të jetë në 30 të këtij muaji, apo ndoshta edhe më vonë.

Në këtë ndeshje kontrolli do të simulohet hyrja dhe dalja e tifozëve në stadium, do të provohet fusha, sistemi i ndriçimit, ai i kamerave dhe shumë aspekte të tjera. Burime në Federatë bëjnë me dijë se ka pasur ndryshime në projektin për vendosen e kamerave të transmetimit, si dhe të kabllove që lidhen po me transmetimin.

Pritet që të bëhet vendosja e numrave nëpër ndenjëse, në mënyrë që të bëhet e mundur shitja e biletave për ndeshjen ndaj Francës, në eleminatoret e Europanit. Po ashtu, duhet të përfundohen ambientet e brendshme, siç janë dhomat e zhveshjes. Shqetësimi kryesor ka të bëjë, gjithsesi, me sheshin para stadiumit dhe sistemimet e tjera rreth tij, ndërsa duhet të krijohen kushtet për hyrjen normale të spektatorëve.

Sfidanti.al