Nëntë të proceduar për dhunën në derbi janë pak, tifozët e paskan bërë “baltë”!

Skandali ishte i plotë edhe për aq, por mund të rritet. Edhe më shumë tifozë mund të procedohen, e më pas të dënohen, për dhunën e rëndë që shpërtheu para nisjes së derbit të kryeqytetit. Burime në Policinë e Shtetit informojnë se shifra prej 9 të proceduarve deri tani pritet të rritet, ndërsa vazhdon kontrolli i materialit filmik të sekuestruar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Analiza e pamjeve mund të kërkojë deri në 48 orë, ndërsa ende dosja nuk i është kaluar prokurorisë.

Policia konfirmon se ishin hapur tri gropa përpara tribunës ku ishin vendosur tifozët e Partizanit, dhe ato i kishin mbushur me lëndë piroteknike, me mekanizëm ndezjeje elektrike. Plani, sipas Policisë, ka qenë për të shpërthyer lëndën piroteknike e për të shkaktuar frikë, por edhe dëmtime fizike për përkrahësit e Partizanit. Deri tani, është ndaluar një tifoz, i quajtur Elton Bande, i akuzuar se ka shkelur arrestin shtëpiak.

Gjashtë janë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy tifozët e akuzuar më shumë se të tjerët, janë shpallur në kërkim. Përleshja në “Selman Stërmasi” solli disa të lënduar, ndërsa u shua pas ndërhyrjes së forcave të Policisë së Shtetit. Kaq e rrezikshme ishte situata saqë forcat policore ishin brenda stadiumit, ndryshe nga herët e tjera.

Tirana ka vendosur të shkarkojë drejtorin e stadiumit, Ksenofon Haskoçelën, duke e quajtur fajtor për atë që ndodhi, ndërsa Haskoçela deklaroi për “Panorama Sportin”, se ai e kishte bërë detyrën siç duhet, se hapja e gropave është bërë natën, dhe se ai kishte njoftuar për dyshimet që kishte pasur. Tifozët e Partizanit, “Ultras Guerils”, iu kundërpërgjigjën akuzave të ish-drejtorit për dhunën, duke e akuzuar se në një derbi të kaluar kishte qenë ai që kishte hedhur flakadanë ndaj ultrasve kundërshtarë.

Përveç, procedimeve penale për tifozët, priten edhe vendimet e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, me Tirana që rrezikon 4 ndeshje pa tifozë për shkak të sjelljes së tifozëve të saj, ndërsa pritet të ketë dënim edhe për Partizanin, për sjelljen e tifozëve të tij, ndonëse organizimi i ndeshjes ishte detyrë e pritësve, pra klubit tiranas.

Sfidanti.al