Nuk dihet sa kohë do t’i duhet, veçse në Madrid bëjnë mirë të kalitin nervat. Eden Hazar nuk ka shënuar asnjë gol, e nuk ka dhënë asnjë asist në 267 minuta që ka qenë në fushë, që do të thotë tri ndeshje të plota si kohë efektive. “Magjistari” belg, vjet tek Çelsi pati 7 rrjeta e 2 asistenca në këtë periudhë të sezonit, ndërsa me fanelën e Realit është “thatë” dhe ka gjithashtu paraqitje të dobët. Vetëm 57 për qind e driblimeve i ka shkuar mbarë, vetëm 4 gjuajtje ka realizuar drejt portës, vetëm 1 nga 3 dyluftimet fitoi në derbin ndaj Atletikos, asnjëherë nuk e vuri në vështirësi mbrojtësin anglez, Tripier, po në derbi, plot 17 herë humbi topin në 77 minuta që luajti në “Uanda Metropolitano”.
Zinedin Zidan, gjithsesi, thotë se ndihet i qetë dhe se ka besim tek Hazari. “Ka qenë i dëmtuar, dhe nuk është stërvitur siç duhet, – thotë trajneri francez, – duhet të ecim përpara pak nga pak me të, dhe e dimë se do të na përgjigjet. Duhet të jemi me të. Unë i kam kaluar vetë këto vështirësi, kur shkova tek Juventusi m’u deshën 3 muaj për t’u përshtatur”.
Sfidanti.al