Kritikat ishin të shumta dhe pritej që të ndodhte kështu. Si mund të jetë ndryshe pasi Reali mundet 0-3 në Europë, ndaj një rivali direkt, por që luan me “rezervat” në sulm? Komentet e gazetave spanjolle nuk ishin aspak me “dorashka”.
“Marka” shkruan sikur po komenton për Shqipërinë: Kështu nuk mund të shkohet në Europë! PSG pa Mbapenë e Nejmarin shkatërron një Real prej kristali! Gazeta “AS”: Pa shpirt! PSG mbi Madridin e paaftë që të godasë në portë një herë të vetme! Zidan: Nuk ishim në lartësinë e duhur! “El Mundo Deportivo”: Madridi nokaut, Atletiko reagon! Një PSG pa Mbapenë, Nejmarin e Kavanin rrëzon të bardhët, që nuk gjuajtën asnjë herë në portë!
“Na mundën në çdo aspekt, – pranoi Zidan, – ishin më mirë se ne në çdo repart, dhe zemërohem më shumë sepse nuk luajtëm me ritmin e duhur, nuk sakrifikuam e nuk luftuam. Kështu nuk mund të fitosh. Nuk është aspak normale të mos krijojmë raste me lojtarë sulmi si Bejl, Zidan apo Hazar”.
Gjithsesi, tashmë është vetë trajneri i vënë në diskutim. Televizioni amerikan, ESPN, e shtron qartë pyetjen: A është ky, fillimi i fundit për Zidanin? Nëse në Madrid ka rënë zia, Parisi shkëlqen. Trajneri Tomas Tuhel fitoi një sfidë krejt personale, sepse nuk pati më të mirët në fushë. Fituan lojtarët e zgjedhur prej tij si Navas, Mënier, Kimpembe, Bernat, Geje, Sarabia, Ikardi dhe sidomos Di Maria, autor i dy golave.
“Ishte një paraqitje e madhe si skuadër, një fitore e merituar, – tha trajneri gjerman, – ne ishim skuadra më e mirë, ishim të bashkuar dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Ne e ndjemë mungesën e yjeve, por kjo na bëri mirë sepse mësuam të fitojmë pa ata. Kaluam momente të vështira pas eleminimit nga Mançester Junajtidit, por projekti ynë vazhdon”. Mos ndoshta ka ardhur koha që PSG të jetë vërtetë pretendente për të fituar Championsin?
Sfidanti.al