Ishte mbrëmje golash, garash të forta, dhe fitoresh të lehta. E tillë dita e parë e Ligës së Kampionëve, në ndeshjet e saj të dyta, kur sfida më e fortë doli ajo mes Atletikos së Madridit e Juventusit. Pas përplasjes së ashpër edicionin e kaluar, ku italianët ishin fitues, këtë herë përfundimi ishte një paqe e luftuar në Spanjë.
Atletiko u lavdërua për taktikat dhe agresivitetin e saj, por kampionët e Italisë treguan përvojën dhe cilësinë e madhe të yjeve, duke marrë epërsinë 2-0 që nuk doli e mjftueshme. Pas golave të Kuadrados e Matyidisë për miqtë, Stefan Saviç e Hektor Herrera siguruan barazimin.
“Keqardhje e madhe që nuk fituam, duke e pasur ndeshjen në dorë në shumicën e kohës, – tha Sarri, – duhet të përmirësojmë vëmendjen dhe agresivitetin. Nuk është çështje forme, është çështje përqëndrimi dhe kjo na dëmtoi shumë”. Shqetësim krijuan disa fjalë për kapitenit Bonuçi, cituar nga “La Gazeta delo Sporti”, kur u shpreh se “rrobat e palara duhet të pastrohen në shtëpi”. Mos vallë ka ndonjë problem tek Juventusi?
Atletiko e përjetoi barazimin si fitore, për vetë mënyrën sesi shkoi ndeshja. “Ishte një barazim më shumë sesa i merituar, – deklaroi trajneri i spanjollëve, Simeone, – na mungoi diçka në pjesën e parë, dhe Juvja përfitoi pas pushimit, por më pëlqeu fakti që nuk u dorëzuam kurrë. Barazimi nuk ishte as i mirë, as i keq, ishte një fakt. Ndikoi përvoja pasi Juvja ka moshë mesatare 29 vjeç, ndërsa ne 24”.
Mançester Siti duhej të provonte diçka pas humbjes në Premier Ligë, dhe ia doli. Nuk ishte gjë e vogël fitorja 3-0 në fushën e Shahtarit të Donjeckut, me golat e shënuar nga Rijad Mahrez, Ilkai Gyndogan dhe Gabriel Zhezus.
“Ishte një fitore skuadre, padyshim, – tha trajneri Pep Guardiola, – por, dua të veçoj disa nga lojtarët tanë. Gyndogan ishte i shkëlqyer, po ashtu Mahrez dhe Fernandinjo, që po luan shumë mirë në një rol të ri”.
Po Bajerni, një nga favoritët e përjetshëm në këtë konkurrim? Nota për bavarezët ishte “shumë mirë”, ndonëse rezistenca e Crvena Zvezdës u thye vetëm në fund. Deri në minutën e 80-të, kampionët e Gjermanisë ishin vetëm në epërsi 1-0 me rrjetën e Kingsli Komanit, ndërsa në fund realizuan edhe Robert Levandovski e Tomas Myler.
“Ne mund ta fitojmë Championsin këtë sezon”, – deklaroi Niko Kovaç, dhe kroati shtoi se “duhet të kemi besim në vetvete, po punojmë pikërisht për këtë, por na duhet edhe fat”. Kovaç lavdëroi ndikimin që Filip Kutinjo ka në lojën e skuadrës dhe ylli i huazuar nga Barcelona mund të jetë vendimtar për t’ia arritur qëllimit.
Sfidanti.al