Inter, ç’po ndodh me Lukakun e Brozoviçin? Mbaroi “muaji i mjaltit”?!

Nuk mjaftoi dështimi në Europë, edhe pse nuk ishte aq i rëndë. Tek Interi i trajnerit Antonio Konte ka edhe më shumë telashe, madje edhe sesa loja e dobët ndaj Sllavias së Pragës në Champions. Lajmi i keq për zikaltërit është konflikti i përfolur brenda skuadrës, mes Romelu Lukakut e Marcelo Brozoviçit.

Sulmuesi belg dhe mesfushori kroat u përplasën në përfundim të ndeshjes në “San Siro”, me Lukakun që kritikoi pjesën tjetër të skuadrës se nuk ndoqi udhëzimet e Kontes. Kritika në parim u mor si personale nga Brozoviç që thuajse u kap me duar me belgun.

Mos vallë “muaji i mjaltit” tek Interi përfundoi dhe tani po nisin problemet? A nuk u tha se konfliktet u lanë pas me largimin e Mauro Ikardit tek Paris SG? Për më tepër, Lukaku është njeriu-simbol i skuadrës së ndërtuar nga Konte, një trajner që ka premtuar harmoni në dhomën e zhveshjes.

Kritika pati edhe për lojën e zikaltërve, duke nënkuptuar dobësi të ish-teknikut të Italisë. Nuk dihet nëse kjo do të jetë një ngjarje e veçuar dhe Interi do të kthehet në formën e mirë të kampionatit. Lojtarët punuan të qetë një ditë pas Championsit, dhe lajmi i mirë është që Aleksis Sançez shënoi në ndeshjen përgatitore ndaj Komos, shpresohet të zhbllokohet edhe në sfidat zyrtare.

Sfidanti.al