Duket se erdhi dita për të “thyer akullin”. Nejmar do të kthehet në skuadrën e Paris SG për herë të parë këtë sezon, dhe pamja e tij në stërvitje ishte e shkëlqyer. Superylli brazilian qeshte e bënte shaka me patriotët e tij si Tiago Silva apo Markinjos, ndërsa trajneri Tomas Tuhel e ka përfshirë në ekip për ndeshjen e sotme në “Park dë Prensis” ndaj Strasburgut në Ligën e Parë të Francës. Gjithsesi, vetë Tuheli i bëri një paralajmërim magjistarit të tij tekanjoz.
“Tani që dritarja e transferimeve u mbyll, nuk do të ketë më shpërqëndrim për të, – tha gjermani, – nuk mendoj se jeta është e vështirë për Nejmarin, me banimin dhe luajtjen në Paris. Do të jetë në ekip, dhe shpresojmë që të luajë. Përsa i përket tifozëve, unë nuk mund të kontrolloj sjelljen e tyre. Sa më shumë flitet për këto gjëra, aq më të mëdha duken”. Nejmari do të ketë konkurrencë në sulm sepse PSG ka Ikardin dhe Kavanin, ndërsa Mbape nuk është ende gati.
Sfidanti.al