Kjo verë po tregon se mbetet në formë si gjithnjë. Sidoqoftë, Kristiano Ronaldo është mësuar të habisë, dhe nuk ngurron ta bëjë në një intervistë për mediat portugeze. Superylli i Juventusit deklaroi se mund të tërhiqet që vitin e ardhshëm, ndërsa foli për televizionin TV1.
“Unë nuk mendoj për mbylljen e karrierës, – ishin fjalët e CR7-ës, – ndoshta unë mund të largohem që vitin e ardhshëm, por gjithashtu unë mund të luaj deri në moshën 40 apo 41-vjeçare. Nuk mund të them gjë më shumë, thjesht dua të jetoj momentin. Kënaqësia është e madhe dhe dua të vazhdoj ta shijoj”.
Ronaldo ka një karrierë të gjatë, prej gati 18 vjetësh, duke fituar trofe të rëndësishëm me Mançester Junajtidin, Realin e Madridit dhe Juventusin. Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të fortë fizikisht në botë, dhe besohet se mbetet i tillë edhe në moshën 34-vjeçare. Së fundi, portugezi rinovoi kontratën me Juven pasi e udhëhoqi drejt titullit kampion në Itali, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i skuadrës me 21 gola.
Gjatë gjithë këtyre viteve, ai ka qenë në konkurrencë me superyllin tjetër, Lionel Mesin, duke pasur 5 Topa të Artë, po aq sa edhe argjentinasi i Barcelonës. Shumëkush e quan pikërisht Mesin si më të mirin e Epokës, por Ronaldo ka mendim tjetër.
“Ajo që unë kam arritur nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër, – ishin fjalët e tij, – a ka ndonjë futbollist tjetër që ka më shumë rekorde sesa unë? Nuk mendoj se ka lojtarë që kanë aq rekorde sa unë”. Juventusi me Ronaldon është favorit për mbrojtjen e titullit në Serinë A, por synimi kryesor mbetet fitimi i Championsit.
Sfidanti.al