Premier Liga është mal i lartë, Ajeti a do të ngjitet dot..me gola?

Uest Hem konfirmoi transferimin e sulmuesit të ri të Bazelit, Albian Ajeti, që nënshkroi një kontratë katërvjeçare me këtë klub anglez që pagoi për të tetë milionë sterlina.

Futbollisti 22-vjeçar Ajeti që ka shënuar 21 gola për Bazelin gjatë sezonit të kaluar, gjithashtu luan edhe me përfaqësuesen e Zvicrës, me të cilën ka zhvilluar shtatë ndeshje. Ai duhet të përforcojë sulmin, duke qenë se nga Uest Hermi janë larguar Marko Arnautoviç (Shangaj SIPG), Lukas Perez (Alavesh) dhe Endi Keroll (përfundim kontrate).

Uest Hemi që ka si trajner Manuel Pelegranin, shpenzoi 45 milionë sterlina rekord vetëm që të sillte sulmuesin francez, Sebastien Haler, nga Aintrahti, ndërkohë që në këtë ekip ka ardhur edhe Pablo Fornals nga Vilareali, të cilit iu paguan 24 milionë sterlina.

Albian Ajeti ka dy vëllezër binjakë më të mëdhenj, Arlind Ajetin, që luan me Grasshopersin zviceran e përfaqësuesen e Shqipërisë, duke qenë se ka edhe shtetësinë shqiptare, dhe Adonis Ajeti, gjithashtu futbollist që luan me Sent Galenin zviceran. Prindërit e tyre janë nga Podujeva e Kosovës.

Sfidanti.al