Ia kanë dalë shpesh, ndonëse kurrë nuk kanë qenë favoritë. Futbollistët e Dortmundit kanë një traditë të mirë ndaj Bajernit në Superkupën e Gjermani, një trofe që e kanë fituar për herë të fundit pesë vjet më parë, dhe për të cilin do të luajnë sërish sonte, në orën 20:30. Lajmi i mirë është që Borusia do të presë Bajernin në “Signal Iduna Park”, në arenën e famshme ku janë arritur kaq shumë suksese, ndonëse një skuadër si ajo bavareze nuk e ka problem se ku luan.
Nënkampionët e Gjermanisë kanë zhvilluar një fazë stërvitore shumë të mirë, gjatë së cilës kanë fituar radhazi ndaj Siatëllit, Liverpulit, Udinezes dhe Sent Galenit, duke shënuar plot 14 gola. Për fat të keq, Julian Brant nuk luan dot, dhe Torgan Hazar është në dyshim. Gjithsesi, ndërsa drejton lojtarët në seancën e fundit përgatitore, trajneri Lysien Favre, flet me kujdes.
“Ndaj Bajernit gjithnjë është një ndeshje speciale, – u shpreh zvicerani 61-vjeçar, – është një provë shumë e vështirë, por është testi real sesi jemi në prag të nisjes së sezonit. Jam i kënaqur nga puna e skuadrës, edhe pse nuk jemi në 100 për qind të formës. Duam të fitojmë Superkupën, ndonëse mendoj se Bajerni niset gjithnjë si favorit”.
Bavarezët, ndërkaq, po përgatiten në qetësi pas një vere të ngarkuar dhe me ngjarje. Trajneri Niko Kovaç do të ketë mungesa të rëndësishme, pasi Gnabri pësoi dëmtim, Havi Martinez po ashtu nuk e ka marrë veten, Lukas Hernandez mbetet në rikuperim individual, ndërsa Kingsli Koman është në dyshim edhe pse u bashkua me skuadrën.
“Superkupa është një trofe shumë i bukur dhe i rëndësishëm, – u shpreh Kovaç në konferencën për shtyp, – jam i lumtur që do të luftojmë për një titull, dhe po ashtu i kënaqur që do të ndeshemi me Dortmundin. Na sfidoi vjet për titull, dhe është forcuar edhe më shumë. Kam besim se do t’ia dalim, edhe pse në futboll nuk i dihet asnjëherë”.
Bajerni vjen në finale pas humbjes me penallti ndaj Totenhemit në Kupën Audi në Mynih, ndërsa më parë kishte fituar ndaj Realit e Milanit, dhe kishte humbur kundër Arsenalit.
Sfidanti.al