A mund të ngjitet “buka” mes Nejmarit dhe Paris SG?!

Trajneri Tomas Tuhel del me fytyrë të qeshur përpara gazetarëve, dhe përpiqet të thotë fjalë të mira. “Unë e pashë atë në stërvitje në nivelin më të lartë, në nivelin e Nejmarit”, – shprehet gjermani. Shoku kryesor i skuadrës, Kilian Mbape, po ashtu, del hapur dhe flet butë. “E gjithë bota e di sesi janë punët, – shprehet francezi, – ai stërvitet si gjithnjë shumë mirë. Unë dua që ai të rrijë me ne, ai e di mendimin tim sepse kam folur hapur dhe me respekt. Unë e admiroj atë”.

“Ai” dhe “atë” është Nejmari, “arra-gungë” që i ka mbetur në grykë Paris SG, dhe nuk po di se ç’të bëjë me të. Transferimi tek Barcelona është shumë e vështirë të kryhet (të paktën, siç janë përbetimet tani), por edhe qendrimi në Paris duket shumë i papërshtatshëm. Si mund të luajë një lojtar në një skuadër, duke mos qenë i harmonishëm aty, kur nuk ka dashur të luajë dhe nuk ka respektuar shokët?

Për më tepër, gazeta “L’Ekip” shkruan se PSG nuk i ka ulur aspak pretendimet për kartonin e brazilianit dhe vazhdon të kërkojë 300 milionë euro. Ndërkaq, 5 milionë euro rrogë në vit kanë “fluturuar” për Nejmarin, pasi 2 milionë euro ishte gjoba për vonesat, dhe 3 milionë euro ikin sepse sulmuesi nuk e fiton dot trofeun e FIFA-s “Më i miri” (The Best), nuk është mes 10 finalistëve.

Sfidanti.al