Ndodhi vetëm një javë përpara një afati tepër të rëndësishëm. Luftëtari mbeti pa president, kur duhen 8 ditë për t’u marrë vendimi nga Federata Shqiptare e Futbollit, për një përjashtim të mundshëm nga Superliga për shkak të borxheve. Grigor Tavo deklaroi dorëheqjen me anë të një letre të hapur për mediat dhe publikun, duke arsyetuar se nuk mund të vazhdonte më nga ana financiare.
“I gjendur në një situatë ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftëtarin as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërisë në tërësi”, – shkruhet mes të tjerave në letrën e hapur të Tavos.
Burime në klub dhe në Bashkinë e Gjirokastrës bëjnë me dijë për Abc Neës-in se e gjitha kjo lidhet me situatën politike, tani që zgjedhjet vendore i fitoi Partia Socialiste. Për 4 vjet, bashkia u drejtuar nga LSI, dhe besohet se kjo ishte arsyeja që Tavo dhe aksionerët e tjerë morën shumicën e aksioneve në klub në vitin 2015. Vetë kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, deklaroi për Abc Neës-in se ajo nuk ka asnjë dokument zyrtar për dorëheqjen e Tavos, dhe shtoi se do të flasë kur të ketë diçka konkrete.
Luftëtari u bë shoqëri tregtare në 2015, ku Bashkia mbajti 25 për qind të aksioneve, dhe 75 për qind u privatizuan, nga të cilat 18 për qind i ka biznesmeni Bekim Halilaj, dhe pjesën tjetër kompania private ANAST, ku është Grigor Tavo dhe disa aksionerë të tjerë, me aktivitet që nga viti 1994. Bashkia e Gjirokastrës e mbështet financiarisht klubin dhe për këtë vit është miratuar fondi prej 300 milionë lekësh të reja.
Luftëtari është një nga katër klubet e paralajmëruar nga Federata për përjashtim nga sezoni i Superligës nëse nuk rregullojnë borxhet, dhe besohet se klubi ka rreth 400-500 milionë lekë të vjetër detyrime, ku mbi 100 milionë janë në tatime dhe pjesa tjetër ndaj palëve të tjera. Burime në skuadër bëjnë me dijë se nuk janë marrë 5 rroga nga 11 të premtuara në kontrata, ndërsa burime në Federatë informojnë se pikërisht Luftëtari mund të jetë klubi i përjashtuar, ndërsa për Tiranën, Flamurtarin apo Vllazninë mund të gjendet një zgjidhje.
Sfidanti.al