Jo blerje të mëdha? Klopi ka gati 13 “fëmijë” për Liverpulin e ri

E ka bërë shpesh herë Ajaksi, ndonjëherë Barcelona apo Mançester Junajtidi, dhe tani duket se mund ta bëjë Jurgen Klopi tek Liverpuli. Shumëkush habitet sesi kampionët e Europës nuk kanë bërë ende ndonjë blerje të madhe, ndryshe nga “vërsnikët” e tyre në kontinent, por mediat angleze nuk kanë harruar të pikasin një strategji të re të trajnerit gjerman. Ai do të provojë 13 lojtarë të rinj gjatë fazës përgatitore të verës, apo parasezonit siç quhet në Angli.

Njëri prej tyre është mbrojtësi i qendrës, Sep Van den Berg, holandezi 17-vjeçar i marrë nga Zvolle. Ai mbiquhet “De Ligti” i ri (ndonëse ky i fundit është vetëm 19 vjeç), dhe Klopi besohet se do ta provojë në skuadrën e parë, në krah të Van Dajkut. Për të u shpenzuan vetëm 5 milionë euro. Një tjetër mbrojtës është Ki-Jana Hëver ardhur nga Ajaksi. Liverpuli fitoi konkurrencën me klube të mëdhenj të Europës për 17-vjeçarin që luan djathtas e në qendër.

Adam Ljuis, mbrojtës 19-vjeçar, është djalë nga Liverpuli, dhe pritet të jetë alternativë për mbrojtësin e majtë, skocezin Robertson, sidomos tani që Alberto Moreno u largua. Nataniel Filips është mbrojtës 22-vjeçar, që ka pasur shumë dëmtime, por që luajti mirë vjet në turin amerikan. Kërtis Xhons, gjithashtu djalosh liverpulas, ka pasur pak mundësi deri tani, por 18-vjeçari ka aftësi driblimi dhe është shumë i lëvizshëm, ashtu siç Klopi i pëlqen mesfushorët e tij.

Paul Glacel, kapiteni i Liverpulit U18 dhe një golshënues i shquar për moshën. Sulmuesi me prindër gjermanë shënoi 29 gola sezonin e kaluar, ku veçohet ai i fitores në finalen e Kupës së Anglisë për të rinj ndaj Mançester Sitit. Bobi Dankën, kushëri i legjendës Stiven Xherrard, është një tjetër sulmues i ekipit U18 që shkëlqeu vjet, me 30 gola të shënuar. Gjithashtu, një djalosh liverpulas dhe tifoz me Liverpulin. Rajan Brujster, 19 vjeç, Këpuca e Artë e Kupës së Botës U17 pak kohë më parë. Pati shumë dëmtime, por tani është gati. Ndër “fëmijët” e rinj të Klopit janë edhe sulmuesi 19-vjeçar Ben Udbërn, mesfushori 22-vjeçar Harri Uilson, mesfushori po 22-vjeçar Rajan Kent, dhe mesfushori Ovie Ejaria, 21 vjeç.

Sfidanti.al