Junajtid u bën të qartë Realin e Juventusit, kushtet për Pol Pogbanë

Kritikat nuk kanë munguar për të, veçse mbetet tepër i kërkuar. Pol Pogba, djali problematik i Mançester Junajtidit duhet të zgjedhë të ardhmen, por ndërkohë klubi anglez ka bërë lëvizjen e tij. Në mungesë të një klauzole transferimi në kontratën e francezit, Junajtid do të kërkojë 150 milionë paundë stërlina, apo 170 milionë euro, nga cilido pretendent që do të dojë ta marrë.

Një shifër tepër e lartë për Realin e Madridit apo Juventusin, që janë edhe dy klubet që kanë shfaqur më shumë interes për kampionin e botës. Madrilenët kanë shpenzuar deri tani një shifër nga 300 deri në 370 milionë euro për blerjet, por nuk kanë hequr dorë nga mesfushori 26-vjeçar, i cili gëzon admirimin e madh të trajnerit Zidan, por edhe të presidentit Perez që vlerëson aspektin e tij të marketingut.

Kjo, pavarësisht se Pogba është kritikuar ashpër gjatë periudhës së dytë me Mançester Junajtidin, për mungesën e impenjimit të plotë, dhe për konfliktet me trajnerët, sidomos me Zhoze Murinjon. Gjithsesi, klasi i tij nuk mund të mohohet, si dhe fakti se ai është titullar i palëvizshëm në kombëtaren e Francës, të drejtuar nga trajneri Deshamp, siç ishte edhe tek Juventusi. Gjatë këtij sezoni, mesfushori shënoi 16 gola dhe shërbeu 15 asistë në 47 ndeshje për “djajtë e kuq”.

Më herët, lajmet ishin që Reali po kërkonte mesfushorin e Ajaksit, Van de Bek, por duket se nuk ka hequr dorë nga Pogbaja. Me francezin në ekip, Zidan do të plotësonte skuadrën e sezonit të ardhshëm, bashkë me yje si Hazar e Joviç.

Sfidanti.al