Argjentina, momenti i së vërtetës me Brazilin, por Mesi ankohet

Skuadra bardhekaltër arriti një tjetër gjysmëfinale të Kupës së Amerikës, diçka që nuk mund të quhet as objektiv minimal, ndërsa momenti i së vërtetës vjen pikërisht tani. Argjentina do të jetë përballë Brazilit, dhe 14 herë kampionët e Amerikës së Jugut, do të duhet të kalojnë pengesën më të vështirë të mundshme, qoftë edhe për faktin se luhet në Brazil.

Shqetësimi më i madh i tifozëve është loja e Lionel Mesit, pasi superylli nuk duket në formë shumë të mirë, por ky i fundit ka këtë vërejtje për të bërë. “Nuk po luaj ndeshjet më të mira të mundshme, – u shpreh kapiteni, – nuk dua të justifikohem, por po më kushton shumë të luaj në fusha në një gjendje kaq të keqe, një turp. Është thuajse e pamundur të kontrollosh topin. Është mëkat që në një turne të tillë, të luhet në këto terrene, por duhet të përshtatemi”.

Mesi ankohet edhe për lojën mbrojtëse të kundërshtarëve, por gjithsesi mendimi kryesor është te kundërshtari. “Respekt për Brazilin, – thekson ai, – skuadër e paparashikueshme, që të zë në befasi, por edhe ne jemi në moment të mirë. Nuk di të them se cili është favorit. Do të jetë e vështirë, por duhet të luftojmë”.

Sfidanti.al