Nuk ndodh shpesh që një tifoz i një skuadre që nuk ka lidhje me një ndeshje të jetë në stadium. Sidomos kur nuk është nga qyteti ku luhet takimi. Një vajzë amerikane nuk pyeti për këtë rregull, madje u duk se deshi vetë që të bënte një provokim. Bukuroshja u pikas nga kamerat televizive në “Gudison Park”, ku Mançester Junajtidi po luante në fushën e Evertonit, në ndeshjen e së dielës në Premier Ligë.
Provokimi i saj ishte i hapur, jo edhe aq për bukurinë të theksuar nga grimi, por për kostumin e Çelsit, që bënte një kontrast të mrekullueshëm me fytyrën e saj.
Ajo vetë tregoi kush ishte. Emili Rogavski, kështu quhet vajza, postoi një mesazh në rrjetet sociale. “Unë e dua Çelsin, e dua futbollin, ndaj nuk doja ta humbisja një ndeshje të tillë sidomos kur bileta kushtoi vetëm 15 paund stërlina, – shkroi ajo, – jam një amerikane që jeton në Angli, ku më rrethon futbolli dhe unë ndjek shumë ndeshje të tilla”. Kuptohet, nuk mund të mungojnë në “menynë” e saj, ndeshjet e ekipit të zemrës, Çelsit të Antonio Kontes.