Taulant Xhaka drejt dasmës, e dashura pranoi propozimin e yllit kuqezi!

Nuk është gjithnjë në këtë version. Një Taulant Xhakë i acaruar dhe me nerva mund të jetë thjesht në fushën e lojës, edhe aty jo gjithmonë, ndërsa në jetën e zakonshme, di të sillet krejt ndryshe. Mesfushori i kombëtares shqiptare pati një moment të veçantë privat, duke i propozuar për martesë të dashurës së tij, Arbnora Nuredini.

Çifti, që padyshim është i lumtur, i hodhi në rrjetet sociale fotot e këtij çasti, ndërsa përgjigja e vajzës ishte një “PO”. Pra, pritet martesë për futbollistin 28-vjeçar nga Kosova, që luan për Shqipërinë dhe për Bazelin në Zvicër. Një kurorëzim logjik i një lidhjeje disavjeçare.

Gjithashtu, edhe jeta sportive po shkon mirë për Xhakën. Ai vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit përfaqësues shqiptar, duke luajtur në shumicën e ndeshjeve, e duke shënuar edhe gol, siç ndodhi ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” vjeshtën e kaluar në Ligën e Kombeve.

Me Bazelin, vërtet nuk po e fiton titullin prej dy vitesh, por ia doli të merrte Kupën e Zvicrës, trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend. Me Bazelin luan prej 9 vitesh, duke qenë pjesë e akademisë së këtij klubi, ndërsa ka fituar 5 herë kampionatin, dy herë kupën, si dhe ka luajtur në fazën e grupeve në Champions.

Sfidanti.al