Do të jetë Holanda përballë Ronaldos për Ligën e Kombeve!

U desh të kalonin 9 vjet që nga finalja e fundit. Nuk është një Europian apo Botëror, por gjithsesi është një trofe me vlerë kontinentale, le ta quajmë i treti për nga rëndësia për kombëtaret e Europës. Holanda ia arriti më në fund, duke dalë në finalen e Ligës së Kombeve, pas fitores 3-1 ndaj Anglisë në stadiumin e Gimareshit në Portugali.

Edhe pse Markus Rashford shënoi i pari për anglezët, me penallti në 32’, sërish holandezët nuk u dorëzuan, përkundrazi. Dominuan pjesën e dytë, duke barazuar meritueshëm me goditjen me kokë të Matijs De Ligtit në 73’. U desh të vinte koha shtesë (pas golit Lingardit për Anglinë, të anuluar me VAR), që të ndahej “shapi nga sheqeri”. Fitoi Holanda, por mund të thuhet se ishin anglezët ata që “e ndanë shapin”.

U bënë dy gabime trashanike nga mbrojtësit e “luanëve”, fillimisht Xhon Stouns kontrolloi keq topin, Depai gjuajti, por Pikford grushtoi, veçse Kajl Uolker e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij. Kjo në minutën e 97-të. Në minutën e 114-të erdhi gabimi i dytë, Ros Barkli pasoi gabimisht për Memfis Depain në zonë, ky ia dërgoi topin Kuinsi Promesit, që realizoi të tretin për Holandën.

Kjo është finalja e gjashtë në historinë e kombëtares holandeze, pas atyre të Botërorëve në 1974, 1978 e 2010, dhe pas Europianëve në 1988 e 2000. Do të synojnë titullin e dytë, nën drejtimin e trajnerit Ronald Kuman, por përballë do të kenë Kristiano Ronaldon dhe vendasit e Portugalisë.

Sfidanti.al