Interi i Antonio Kontes rrit peshën: i pari në listë quhet Lukaku!

Ka shumë mundësi që trajneri i njohur italian, Antonio Konte, të ulet në stolin e drejtimit të Interit, ndërkohë që mediume të ndryshëm të Apenineve thonë se ai tanimë ka siguruar edhe përforcimin e parë dhe fjala është për sulmuesin e Mançester Junajtidit, Romelu Lukaku, që, me sa thuhet, ndodhet te dera e daljes së “Old Traffordit”.

Në fakt, ky sulmues belg nuk i justifikoi shpresat te Junajtidi, por, sidoqoftë, për shërbimet e tij ka shprehur interesim të madh Interi, kontrata e të cilit me Lukakun, sikurse thuhet, do të jetë pesëvjeçare.

Nëse ky transferim do të realizohet, atëherë me siguri që klubi neroazur do t’i thotë lamtumirë Mauro Ikardit problematik.

Sipas medias italiane, futbollisti robust belg dhe Interi tanimë e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke qenë se menaxherët e Lukakut i ulën kërkesat për pagën e tij. Sidoqoftë, ai do të marrë tek Interi 7,5 milionë euro për sezon, duke u bërë kështu një nga më të paguarit në klub.

Sfidanti.al