Pesë finale të mëdha radhazi. Vetëm Boston Sëlltiks ka arritur më shumë, ndaj Golden Stejt Uorriors duhet të jetë shumë krenare. Kampionia në fuqi e NBA-së do të luajë sërish për titull, pasi fitoi Konferencën Perëndimore. U fitua edhe ndeshja e katërt, luajtur sërish në Portlend, dhe u arrit ajo që në zhargonin amerikan quhet “fshesa”, apo “fshirja”, pra fitorja 4-0.
Golden Stejti fitoi sërish respektin maksimal të basketbollit amerikan, të publikut dhe të analistëve, pasi nuk deshi të dinte nga mungesa e atij që mund të quhet ylli kryesor, Kevin Durant, të dëmtuar. Suksesi ishte si në kohët e vjetra, mbështetur tek treshja Stefën Kërri-Klej Tompson-Drejmond Grin, si dhe nga loja thellësisht kolektive.
Fitorja e ndeshjes së katërt ishte 119-117, falë një tripëll dabëlli nga Stef Kërri, me 37 pikë, 13 topa në tabela e 11 pasime për kosh. Kapiteni Tompson pati 17 pikë, 6 topa në tabela, asiste e 2 vjedhje topi.
“Ne kemi qenë edhe më përpara në një pozitë të tillë, – u shpreh Kërri, – kemi pasur 3 lojtarë kryesorë të dëmtuar, por secili prej nesh luajti edhe më fort deri në fund. Ne fare mirë mund të kishim pritur për ndeshjen e pestë, por nuk deshëm të prisnim kaq gjatë, ndaj vendosëm ta provonim”.
Kërri vlerësoi lart lidhjen me Drejmond Grinin, duke theksuar besimin e ndërsjelltë që ata kanë tek njëri-tjetri. Grin ishte gjithashtu vendimtar, duke realizuar edhe ai një tripëll dabëll, me 18 pikë, 14 topa në tabela e 11 pasime për kosh. Jo vetëm kaq, por ai pati 3 vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh, ndërsa është transformuar në mungesë të Durantit.
Gjatë sezonit, Grin dhe Durant patën përplasje, dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që ky i fundit thuhet se dëshiron të largohet nga Golden Stejti, ndoshta tek Nju Jorku. Tashmë, kampionët presin finalistin nga Lindja, që do të përcaktohet nga dueli Toronto-Miluoki.
Sfidanti.al