Mkitarian humb finalen europiane, as futbolli nuk ia del me historinë!

Prezantimi i sfidës së shënuar ishte paqësor sa më nuk bëhet. Azerbajxhani ndihet krenar dhe i lumtur që finalja e Ligës së Europës këtë vit do të luhet në stadiumin “Olimpik” të kryeqytetit Baku, veçse diçka e rëndë ndodhi ende pa mbërritur dita. Henrik Mkitarian, një nga lojtarët kryesorë të Arsenalit, nuk do të mund të jetë në fushë, për duelin vendimtar ndaj Çelsit.

Cila është arsyeja? Mkitarian është nga Armenia, kapiten i ekipit kombëtar të vendit të tij, dhe kjo mjafton që ai të mos jetë i mirëpritur në Azerbajxhan. Mes dy vendeve në Kaukaze është konflikti i vjetër ndëretnik për rajonin e Nagorno-Karabakut, që ndodhet në brendësi të Azerbajxhanit, por me shumicë popullsie armene, dhe që kontrollohet pikërisht nga armenët. Fillimisht, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit dha shpresë se  Mkitarian mund të udhëtonte drejt Bakusë, por më pas u tërhoq duke mos garantuar dot sigurinë.

“Ju njoftojmë me zhgënjim të thellë se Henrik Mkitarian nuk do të udhëtojë me skuadrën për finalen e Ligës së Europës ndaj Çelsit”, – ishte njoftimi i Arsenalit në rrjetet sociale. Vetë futbollisti po ashtu, reagoi. “Një ndeshje e tillë nuk ndodh ta luash shpesh, dhe duhet ta pranoj se më vret shumë mungesa e saj, – komentoi vetë Mkitariani nëTuiter, – do të mbështes shokët e mi! Le ta sjellim kupën në shtëpi!”

Mkitarian e ka luajtur një finale të Ligës së Europës, atë të vitit 2017, fituar me Mançester Junajtidin ndaj Ajaksit, madje duke shënuar edhe gol. Mungesa e tij është problem serioz për Arsenalin, veçse futbolli, pavarësisht përhapjes gjithnjë e më të madhe globale, shpesh e ka të pamundur të mposhtë armiqësitë e krijuara nga e kaluara.

Sfidanti.al