CSKA e Moskës fiton Euroligën, synon rekordin e Realit!

Do t’i duhen edhe dy tituj për t’u barazuar me rekordmenët. CSKA e Moskës është tani 8 herë kampione e Europës në basketboll për meshkuj, e dyta skuadër më e mirë në histori pas Realit të Madridit që ka 10 kupa. Suksesi i radhës ishte ai i mbrëmshmi në Arenën e Vitorias në Spanjë, kur mundu 91-83 Anadolu Efesin e Turqisë, përpara 13 420 spektatorë.

Me suksesin gjysmëfinal ndaj Realit dhe atij final ndaj Efesit, skuadra moskovite ishte kampione e merituar e Euroligës, ndërsa ka mbërritur 8 herë radhazi në fazën finale, dhe 16 herë në 17 sezonet e fundit, duke fituar 4 tituj. Ndaj Anadolu Efesit, rusët kryesuan gjatë gjithë kohës, ndonëse turqit nuk lejuan shkëputje, duke qenë 4 pikë larg dy herë në pjesën e katërt.

CSKA-ja u mbështet tek tre lojtarë kryesorë, amerikanët Uill Klajbërn e Kori Higins, si dhe tek francezi Nando De Kolo. Dy të parët shënuan nga 20 pikë, me Klajbërnin që shtoi edhe 5 topa në tabela e 2 asistë. De Kolo realizoi 15 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë. Klajbërn u shpall edhe lojtari më i mirë i fazës finale.

Amerikani Shejn Larkin shënoi 29 pikë, duke qenë më i miri për Anadolu Efesin, e duke qenë shënuesi më i mirë në një finale që nga viti 2000. Shumë fort luajti amerikani tjetër Brajant Danston me 13 pikë, 10 topa në tabela e 2 asistë. Kroati Krunoslav Simon shtoi 15 pikë, ndërsa Vasilije Miçiç u mbulua fort dhe nuk arriti dot më shumë se shifra 10.

Sfidanti.al