Tirana, kur nuk mund dot Kastriotin, si do të mbijetosh?!

Skuadra rekordmene e titujve në Shqipëri sërish rrezikon rënien nga Superliga. Tirana pati mundësinë për të mbyllur thuajse çdo diskutim, në ndeshjen direkte ndaj Kastriotit në “Selman Stërmasi”, por bëri të kundërtën, duke marrë me vështirësi barazimin, e duke qenë një kandidat serioz për në Kategorinë e Parë. Rezultat 0-0, me Tiranën që ka tani 41 pikë ndaj 39 të krutanëve, ndërsa Luftëtari shpëton përfundimisht pas fitores në tavolinë ndaj Kamzës.

Pjesa e parë ishte me të vërtetë e shëmtuar në “Selman Stërmasi”, ndërsa pas pushimit pati më shumë emocione, edhe pse në stadiumin bosh, për shkak të dënimit të fushës së tiranasve. Majkëll Ngo ishte lojtari më i mirë bardheblu, por edhe ai që humbi raste të pastra, me dy gjuajtje me kokë në 69’ e 70’. Gjithsesi, aksioni i tij i minutës së 53-të ishte model, duke shmangur 3 kundërshtarë, e duke pasuar për Hasanin që nuk shënoi dot, dy metra larg portës, kur kishte përballë vetëm një mbrojtës.

Hasani pati një tjetër mundësi më vonë, ndërsa edhe Kastrioti u përgjigj të paktën dy herë. Tirana u duk se e ndjeu presionin, duke qenë një skuadër pa përvojën dhe personalitetin për momente të tilla, aq sa miqtë u treguan më luftarakë duke fituar shumicën e dyluftimeve. Tashmë, Tirana duhet të marrë 4 pikë në dy ndeshjet e ardhshme, në Laç dhe në kryeqytet ndaj Flamurtarit, sidomos nëse Kastrioti i fiton dy ndeshjet e veta.

Rezultatet: Tirana-Kastrioti 0-0, Teuta-Partizani 3-0, Kukësi-Skënderbeu 0-3, Flamurtari-Laçi 1-0, Kamza-Luftëtari 0-3 (në tavolinë). Renditja: Partizani 68, Kukësi 55, Teuta 54, Flamurtari 51, Laçi 49, Skënderbeu 49, Luftëtari 46, Tirana 41, Kastrioti 39, Kamza 17.

Sfidanti.al