Bajerni triumfon, por si do jetë viti tjetër pa Robenin, Riberinë, Rafinjën?!

Shtatë tituj radhazi nuk janë aspak gjë e vogël, edhe kur je Bajerni dhe luan në Bundesligë. Bavarezët ia dolën përsëri, duke realizuar atë që pritej prej tyre, madje në mënyrën më të mirë të mundshme, me rezultatin 5-1 ndaj Frankfurtit në “Alianc Arena”. Nuk u duk si tension i luftës për “jetë a vdekje” me Dortmundin, por si një ndeshje kur titulli ishte i siguruar dhe duheshin bërë respektet për yjet që largohen.

Frank Riberi, Arjen Roben dhe Rafinja luajtën ndeshjet e fundit të tyre me fanelën bavareze, dhe u përcollën në mënyrë të shkëlqyer nga 75 000 spektatorët, si dhe nga shokët e tyre të skuadrës. Ata u aktivizuan në pjesën e dytë nga trajneri Niko Kovaç, dhe arritën të shënonin. Riberi shmangu dy mbrojtës dhe kaloi topin mbi portierin Trap, ndërsa Riberisë iu dha një realizim i thjeshtë nga Alaba.

Koman, Alaba dhe Sançez ishin autorët e golave të tjerë, me Bajernin që arriti në 78 pikë, ndaj 76 të Dortmundit, që fitoi 2-0 në fushën e Mynshengladbahut. Skuadra nga Mynihu shënoi plot 88 gola, në një nga sezonet më të mirë në Bundesligë, por edhe me më shumë rivalitet, pikërisht për shkak të Dortmundit.

Mbetet të shihet sesi do të jetë e ardhmja, pas largimit të tre yjeve (Riberi, Roben, Rafinja), dhe ndoshta edhe të trajnerit Niko Kovaç. Klubi ka premtuar se do të shpenzojë 200 milionë euro për t’u përforcuar dhe që tani dihet që do të vijnë mbrojtësi i Francës, Benzhame Pavar nga Shtutgarti, dhe kampioni tjetër i botës i Francës, Lukas Hernandez nga Atletiko e Madridit.

Sfidanti.al