Një përfundim i pabesueshëm, por fituesit nuk vodhën asgjë. Çelsi bëri të vetën një nga sfidat më të vështira dhe më domethënëse të Premier Ligës, duke triumfuar 3-1 në fushën e Mançester Sitit, dhe duke mbajtur kreun me autoritet.
Autoriteti u duk tek rezultati dhe te karakteri për të përmbysur shifrat, veçse në “Stadiumin Etihad”, skuadra e Antonio Kontes u duk si “kështjellare”. i tillë ishte presioni i Sitit, zotërimi i topit absolutisht në favor të vendasve dhe goditjet nga këndi, gjithashtu.
Një rol e luajti edhe gjyqtari Entoni Tejlër, që mund t’i kishte dhënë Sitit dy penallti, ndërsa mbrojtësi i bluve, David Luiz, mund të kishte përfunduar jashtë me karton të kuq. Me të kuq, në të kundërt, dolën Sergio Aguero dhe Fernandinjo të Sitit, të cilët i lanë nervat në fund.
Përballja nisi shumë mirë për skuadrën e Pep Guardiolës, që gjeti golin e avantazhit në fund të pjesës së parë, kur Geri Kejhill dërgoi topin në rrjetën e portës së vet. Ishte rrjedhojë logjike e një presioni të madh, që solli raste për gol dhe situata të vështira për londinezët.
Dy herë ekipi nga Mançesteri kërkoi penallti, dhe që të dyja mund të jepeshin, por nuk u dhanë. Dy herë David Luiz u tregua i pakujdesshëm, dhe dy herë u tolerua nga gjyqtari Tejlër. Gjithsesi, pas pushimit, gjithçka ndryshoi. Veçse, jo përpara sesa Siti të shpërdoronte një gol të sigurt. I takoi Kevin De Brujnit faji i pafalshëm.
Energjia e madhe e shpenzuar dhe fati kundër i lodhi të përzgjedhurit e Guardiolës, dhe niveli i lojës së tyre ra. Këtë priste Çelsi, që luajti në kundërsulm, si në traditën më të mirë të katenaços italiane apo së fundi të ekipeve të drejtuara nga Zhoze Murinjo. Shënoi 3 gola, duke përballuar presionin e madh.
Sulmuesi më i mirë i bluve, Diego Kosta, zëvendësuesi Uillian dhe talenti i madh, Eden Hazar realizuan përmbysjen e madhe. Guardiolës dhe lojtarëve të tij nuk u mbeti veçse zhgënjimi për një disfatë që duhej të ishte fitore dhe që mund të rezultojë fatale në luftën për titull. Çelsi kryeson me 34 pikë ndaj 30 të Sitit.
Sfidanti.al