Gjasula nuk ka frikë: Ka dallavere në Kombëtaren e Shqipërisë!

Jurgen Gjasula, mesfushori i ekipit gjerman, Greuther Fürth, mendon se në Kombëtaren Shqiptare ka dallavere. Jurgen Gjasula mendon se në Kombëtare shqiptare lojtarët nuk ftohen me merita dhe shumë gjëra bëhen vetëm për interes. Mesfushori i Greuther Fürth shpreh keqardhje që nuk luajti në Kampionatin Europian, por është i ndërgjegjshëm që vendimet i takojnë trajnerit.

“Ndeshjen me Izraelin nuk e ndoqa, vetëm rezultatin pashë. Personalisht nuk e kuptoj dot se si ka mundësi që lojtarët që luajnë në Gjermani nuk grumbullohen, ndërsa ata lojtarë që as nuk luajnë në ekipe të vetat grumbullohen. Por kjo është diçka që i takon trajnerit dhe më vjen keq ta them por në Shqipëri bëhen shumë gjëra vetëm për interes!”, ka deklaruar ai.“Normale që u mërzita për mungesën në Francë. Kisha shumë dëshirë të luaja për vendin ku kam lindur, me zemër jam 100 për qind shqiptar. Po këto gjëra nuk janë në dorën time”, thotë në një intervistën për “Revista Who” futbollisti i lindur në Tiranë.

Ish anëtari i skuadrave si: Kaiserslautern, Basel, St.Gallen, FSV Frankfurt, MSV Duisburg është duke u riaftësuar nga një dëmtim i rëndë, që e ka lënë jashtë fushave për disa muaj.“Në fund të muajit shtator, më saktë në datën 28 shtator, u dëmtova në stërvitje në thembrën e njërës këmbë. Shpresoj shumë që në fund të muajit janar të mund të rifilloj sërish me ekipin. Kam qenë shumë i mërzitur, shumicën e kohës e kam kaluar te prindërit. Ata më kanë ndihmuar shumë.”, ka përfunduar ai për Ekspress.