Luka Joviç tek Reali, përralla e një djali ballkanas nga Bosnja!

Ai lindi në një fshat të vogël në Bosnjë-Hercegovinë. Luka Joviç ishte fëmija që bëri të lumtur prindërit Milan dhe Svetlana, që jetonin në fshatin Batar, pranë Bijeljinës në Republikën Srpska, dhe talenti si futbollist, por edhe sistemi profesional që mbetet në këmbë në Serbi, e largoi nga provinca dhe e bëri yll botëror.

Që në moshën 7-vjeçare ai u pikas nga gjahtarët e talenteve, që në Shqipërinë e para vitit 1990 quheshin metodistë, dhe u përfshi në një ligë zhvilluese për fëmijët që mbahej në Beograd. Njerëzit me mend në kokë, që drejtonin ligën, i ofruan babait Milan nga 50 euro për çdo ndeshje që luante fëmija e tij, si dhe i mbuluan kostot e udhëtimit Batar-Beograd, që arrinin në 2 000 dinarë për çdo rrugë vajtje-ardhje.

Kjo ndihmoi familjen, dhe bëri të mundur që Luka i vogël të vazhdonte ëndrrën. Siç ishte normale që të ndodhte, talenti Joviç u pikas nga skauti i Crvena Zvezdës, Toma Miliçeviç, që e dërgoi në “Marakana”. Në moshën 16-vjeçare debutoi për Zvezdën dhe theu rekordin e Dejan Stankoviçit, si golshënuesi më i ri në historinë e klubit.

Në shkurt 2016, Luka Joviç kaloi tek Benfika, ndërsa në qershor 2017 u dha huazim tek Ajntrahti i Frankfurtit. Historia e sulmuesit në Gjermani njihet mirë, dhe jo më kot, këtë verë, do të veshë fanelën më të famshme të futbollit në botë, atë të Realit. Frankfurti ia bleu kartonin për 12 milionë euro, pra doli me fitim të rëndësishëm.

Kjo do të thotë se, sipas rregullave të FIFA-s, Crvena Zvezda fitoi 600 000 euro nga kalimi i Joviçit tek Frankfurti, dhe rreth 3 milionë euro për kalimin në “Bernabeu”. Qysh vitin e kaluar, ish-ylli i Gjermanisë, Karl-Hajnc Fërster, sot menaxher i rëndësishëm, parashikoi se vlera e kartonit të Joviçit do të arrinte në 50-60 milionë euro, dhe kështu ndodhi. Reali pagoi rreth 60 milionë euro për ta marrë nga Frankfurti.

Historia e Luka Joviçit është historia që duhet të ketë çdo djalë i talentuar shqiptar, por me kusht që sistemi i futbollit në Shqipëri të ndërtohet nga e para, siç ka qenë para 1990-ës, gjithnjë në përshtatje me kushtet e sotme. Nëse nuk e bëjmë, talentet e Shqipërisë do të shkojnë kot, dhe klubet shqiptare nuk do të mund ta kthejnë këtë sport në biznes.

Sfidanti.al