Legjenda Hrubesh ka disa fjalë zemre për Hamburgun e tij

Ishte një nga sulmuesit më të fortë të kohës së tij, dhe ndihmoi Gjermaninë të dilte kampione e Europës, po ashtu Hamburgun të fitonte Bundesligën dhe Kupën e Kampionëve. Horst Hrubesh, jo ndër më elegantët apo më të talentuarit që mbahen mend, ishte një personalitet dhe mbetet i lidhur me zemër me klubin e vjetër të Gjermanisë së Veriut. Sot, kur HSV-ja nuk arriti të ngjitej në Bundesligë, ai është i hidhëruar, por edhe i zemëruar.

“Më vjen keq që imazhi publik i Hamburgut është katastrofë, – shprehet ai, cituar nga “Bildi”, – kur del dhe flet në publik, duhet të kesh gjithnjë një plan rezervë. Po pres ende që drejtuesit e klubit të gjejnë një zgjidhje”. “Jam i shqetësuar për mënyrën sesi po shkojnë punët, dhe dua që Dike (legjenda Uve Zeler) ta shohë ekipin të kthehet në Bundesligë”. Zeler është 82 vjeç dhe luajti për 20 vjet me Hamburgun, duke pasur 476 ndeshje e duke shënuar 404 gola, një rekord.

Vetë Hrubesh luajti për 5 vjet me Hamburgun, shënoi 96 gola në 159 ndeshje në Bundesligë, fitoi 3 tituj në Gjermani, dhe në 1983 fitoi Kupën e Kampionëve, me suksesin ndaj Juventusit në Athinë. Si trajner, ai është i suksesshëm me Gjermaninë U19 e Gjermaninë U21, duke dalë kampion i Europës, ndërsa në 2016 mori medaljen e argjendtë olimpike. Sot është trajner i kombëtares së femrave të Gjermanisë, ndërsa nuk ka pranuar të jetë trajner tek Hamburgu.

“Ata m’u afruan kur “fëmija kishte rënë ndërkohë në pus”, – shprehet Hrubeshi, – unë kam bërë në jetën time gjithmonë vetëm gjërat për të cilat isha i bindur se mund t’i bëja”.

Sfidanti.al