Rafa Nadal, dështimi i Madridit ngre alarm për “Rolan Garosin”

Nuk dihet nëse Arena “Kaha Mahika” (Caja Magica) do të mbushet plot me mbi 12 000 vendet e ulura që ka. “Djali i shtëpisë”, Rafael Nadal, u eleminua në gjysmëfinale të turneut Masters të Madridit, e ndoshta publiku spanjoll nuk do të jetë aq i ngrohtë për ndeshjen për titull Gjokoviç-Cicipas. Tenisti më i mirë në histori në dhé të ngjeshur nuk arriti dot finalen e tij të 9-të në kryeqytet, pra nuk mund të kërkojë një titull të 6-të, që do të ishte vazhdim rekordi. Ndryshe, Gjokoviçi mund të fitojë për të tretën herë në Madrid, edhe pse greku Cicipas se mund të përballet me më të mirët.

Alarmi është i madh për Nadalin, jo edhe aq për Madridin, sesa për Parisin, pra për Grand Slemin “Rolan Garos”. Eleminimi do të thotë se ai nuk është në formën më të mirë dhe nuk dihet nëse do të jetë për në Francë. Në qershor, Rafa mbush 33 vjeç, por më shumë se mosha, spanjolli është penguar nga dëmtimet për të qenë ai i dikurshmi. “Përsa më përket, kjo nuk ishte një ndeshje e mirë”, – u shpreh ai pas humbjes.

Me eleminimin në Madrid edhe të Rozher Federerit, duket se tenisti më në formë në botë, për momentin, është Novak Gjokoviçi. Një vit më i vogël se Nadali, serbi nuk ka pësuar aq shumë dëmtime sa ai, dhe kjo po e ndihmon. “Nole” është favorit për Madridin, por gjithsesi në “Rolan Garos”, pra në dhé të ngjeshur, favorit mund të quhet vetëm Rafael Nadali, 11 herë fituesi në Grand Slemin e Parisit.

Sfidanti.al