Poçetino-Totenhem, do të duhen miliona për të shmangur divorcin!

Jo më kot Reali e kërkoi me ngulm sezonin e kaluar. Maurisio Poçetino vlerësohet si një nga trajnerët më të mirë të botës, dhe Totenhemi tani duhet ta meritojë atë. Njeriu që e kualifikoi skuadrën e tij për herë të parë në finalen e Championsit, dhe që e ka ngjitur për herë të tretë në 4 sezonet e fundit si pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, tani dëshiron garanci që ngjitja drejt majës të vazhdojë.

“Padyshim që unë e dua Totenhemin, dhe dua që të punoj çdo ditë këtu, – u shpreh ai, – por, gjëja kryesore është që të dimë se për çfarë do të luftojë klubi në të ardhmen”. Një paralajmërim për presidentin Daniel Levi, një biznesmen i shkëlqyer, që gjithashtu ka meritë të madhe për rritjen e klubit londinez.

Ambicia e Poçetinos, si edhe ajo e tifozëve është për tituj. Totenhemi i trajnerit argjentinas ishte pranë kreut këta vjet, duke dalë në vend të dytë dy herë kohët e fundit, ndërsa tani mund të dalë i treti pas Sitit e Liverpulit. Po ashtu, duhet luftuar për sukses të vazhdueshëm në Champions dhe për të fituar edhe Kupën e Anglisë.

Falë Levit dhe Poçetinos, Spërsat janë në vend të 10-të në renditjen financiare të klubeve, hartuar nga revista amerikane “Forbs”. Me 1.2 miliardë vlerë USD si klub, me 387 milionë të dollarë të ardhura në vit, Totënhemi është mbi Paris SG, dhe menjëherë pas Juventusit, me synim që ta kalojë kampionen e Italisë. Duket se Levi do të duhet të bëjë një sakrificë për të mbajtur trajnerin.

Sfidanti.al