Ditën që u mor vesh se të katër ekipet finalistë të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës do të jenë anglezë, tifozët e këtij vendi nisën të bëjnë plane që të fluturojnë për në Madrid dhe Baku (Azerbajxhan), ku do të zhvillohen finalet e konkurrimeve më të rëndësishëm evropianë. Por, ata menjëherë u përballen me dy “zjarre”: çmimet e larta të biletave të stadiumeve dhe të hoteleve në qytetet përkatës.
Hotelet e Madridit qysh tani i kanë ngritur çmimet për 31 maj-1 qershor, madje deri në 20 herë më shumë se çmimi normal. Nga ana tjetër, për finalen e LE-së problem përbëjnë biletat e avionit deri në Baku, pasi që të fluturosh dhe të kthehesh që andej, duhet të përshkosh mëse 9000 km!
Rrallë ndodh që ndonjë një trajner t’ua qajë hallin tifozëve, por jo trajneri i Liverpulit, gjermani Jyrgen Klop:
“Unë ua qaj hallin 100 për qind tifozëve. Siç duket, agjencitë turistike dhe hotelet kanë luajtur mendsh. Madridi, me këtë rast, po bëhet shumë i shtrenjtë dhe nuk e kuptoj se përse, ai nuk është ndonjë pjesë tjetër e botës”, tha Klopi, ndërsa, duke folur për finalen e LE-së në Baku të Azerbajxhanit, ai vuri në dukje:
“Ta çosh finalen e Ligës së Evropës në Baku? Por, kjo është për qeshur. Çfarë hanë për mëngjes ata njerëz që marrin vendime të tillë? Si shkohet në Baku, a ka fluturime direkte për atje?”
Sfidanti.al