Trofembajtësi u eleminua, ashtu si supriza e sezoneve të fundit të futbollit shqiptar, ndërsa Kukësi e Tirana do të luftojnë për trofeun e Kupës. Skuadrat e Ernest Gjokës dhe Ardian Memës i luajtën më mirë gjysmëfinalet e dyta, duke arritur kualifikimin tepër të rëndësishëm për to.
Kukësi kaloi Skënderbeun, duke fituar edhe në Korçë madje me shifrat 3-1. Rezhinaldo dhe autogoli i Abazit vendosën rezultatin e pjesës së parë, Bregu shkurtoi shifrat pas pushimit, ndërsa Valdet Rama (që për fat, nuk e ka mbyllur sezonin) realizoi të tretin për miqtë. Kukësi kishte fituar 2-1 edhe ndeshjen e parë dhe kalon me shifrat e përgjithshme 5-2. Për ta, finalja e Kupës është më shumë një mundësi për trofe, pasi në Ligën e Europës mund të shkojnë edhe nga vendi i dytë në kampionat.
Për Tiranën, finalja e Kupës është një “derë e hapur” për në Europë, ndonëse nuk dihet nëse do të arrijë ta marrë licencimin për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, problemet mbeten financiare, ndërsa në fushën e lojës të besuarit e Memës ia dolën siç duhet me shifrat 5-3, pas barazimit 0-0 në Gjirokastër. Kualifikimi u vu në dyshim vetëm në një moment, kur Luftëtari barazoi golin e Dajës me anë të Filit për shifrat e përkohëshme 1-1. Tiranasit kryesuan 4-1, për të fituar përfundimisht 5-3.
Finalja Kukësi-Tirana (ose Tirana-Kukësi) do të luhet të dielën e 2 qershorit, me stadiumin që mbetet për t’u përcaktuar, por që me shumë gjasë do të jetë “Elbasan Arena”.
Sfidanti.al