Sa më shumë të kesh, aq më kurnac bëhesh! Kjo është një shprehje, veçse në futboll po vërtetohet kryekëput. Pas skandaleve të lidhura me emrat e Mesit apo Nejmarit, nuk mund të rrinin gjatë të fshehur të tjerë protagonistë të mëdhenj si Kristiano Ronaldo apo Zhoze Murinjo. Një burim anonim i ka ofruar revistës gjermane “Der Shpigel” dokumentacion të fshehtë lidhur me kontratat dhe depozitimet e parave të yjeve të futbollit. Më pas loja është hapur, dhe është bërë një hetim mediatik europian, nga disa organe gazetareske. Dyshohet që burimi mund të ketë qenë rus.
Në përfundim të hetimit të gazetarëve doli se Kristiano Ronaldo ka transferuar 70 milionë euro në llogaritë bankare të të shoqërisë Tolin, regjistruar në Ishujt e Virxhinias Britanike, një “parajsë fiskale” në Karaibe. Plot 74 milionë euro të tjera, Ronaldo i ka transferuar në një llogari bankare në Zvicër në ditët e fundit të vitit 2014. Me këto marifete, Ronaldo ka paguar vetëm disa milionë euro taksa, “thërrime” në krahasim me çfarë duhej të paguante.Gjithçka është e dokumentuar.
Ja edhe Murinjo, i cili ka vepruar pak a shumë si Ronaldo, ndërsa autoritetet spanjolle kanë hapur një hetim për të. Trajneri portugez do të duhet të paguajë të paktën 5.5 milionë euro taksa të prapambetura dhe sanksione për vonesën. Investigimi nxorri shkelje të mëdha edhe nga disa klube italianë si Juventus, Milan, Inter, Roma, Napoli dhe Torino.