Derbi i dënuar dy herë: në fillim i hoqën sytë, të nesërmen e lanë pa fitues!

Një derbi që luhet vitin 2016-të dhe coptohet për dy ditë me radhë, i ndarë në një copë prej 63 minutash dhe në një tjetër , të nesërmen, me 27 minuta, për shkakun banal se futbolli ynë akoma nuk e ka bërë elekrifikimin e stadiumeve, ka mbaruar në mënyrën më të padenjë. Ditën e parë të filmit nuk patëm fitues për shkak të errësirës që pllakosi, në ditën e dytë të Derbit nuk patëm fitues për shkak të frikës nga rezultati. Një dritë e vogël qënka ndezur në prapaskenë, atje ku gatuhet çorba  e Superligës, për të shmangur fituesin e një  ndeshje të cilën më shumë e përpiu historia e kulisave, sesa historia e futbollit.

Derbi më liliput në kampionatin tonë, vetëm 23 minuta lojë, ku futbollistët do të konsumonin më shumë kohë me veshje dhe zhveshje, sesa për vetë ndeshjen, zbuloi frikën nga “terrori” i fituesit. Kjo ndeshje, ashtu siç vajti, nuk duhej të kishte fitues, sepse do të ishte një zbukurim i gabuar në Pemën e Vitit të Ri të kampionatit . Ndaj, një arbitër si Jemini,  artizan i ndeshjeve derbi, njohës në detaje i trilleve dhe mëndjeve që komandojnë, ka realizuar vetëm një minutë shtesë. Po, po, vetëm 1 minutë shtesë, për një ndeshje maratonë që zaptoi padrejtësisht javën, që u luajt natën dhe ditën,në emër të rivalitetit që ka pjellë ky sezon. E dini se çfarë thonë arbitrat, nëse i pyet për këtë shtesë mikroskopike: “ Nuk pati shumë ndërrime kjo ndeshje dhe vetëm 1 minutë vlente”.  Pritëm që të luhej me vërtetësi dhe me zemërimin tipik  derbi, ndërsa fati kishte qënë paracaktuar ndryshe..me derbin u luajt. Më keq akoma me tifozët, aktorët e vërtetë të kësaj beteje imagjinare, e cila vazhdon të luhet në shkallët e stadiumit, ndërsa në fushë mbetet iluzioni.  Tani le të  ngushëllohemi me nga 1 pikë, ndërsa pikët e plota të fituesit  i kanë marrë ata që e dërgojnë lojën në errësirë.

G.Sinemati