Ishte 13 dhjetori dita e përcaktuar. Aksionet e Silvio Berluskonit tek Milani do të kalonin në dorë të investuesve kinezë pikërisht në atë ditë. Veçse, siç e kishte ndjellë edhe vetë Do SIlvio (apo ndoshta e dinte), blerja e aksioneve apo dita e quajtur “Closing” u shty përsëri. Do të bëhet në 28 shkurt 2017 me kërkesë të palës kineze. Berluskoni kishte deklaruar se ishte gati ta mbante Milanin në zotërim nëse dështonte shitja, një shprehje që sikur i dilte të keqes përpara ose krijonte presion tek aksionerët potencialë kinezë. Fjala është për të blerë 99.93 për qind të aksioneve të klubit milanist, që i ka pikërisht ish-kryeministri i Italisë. Kinezët kanë paguar edhe një kapar, 100 milionë euro të dhënë në dy duar, ndërsa brenda 13 dhjetorit duhej të hidhnin në bankë edhe 420 milionë euro të tjera. Kompania Sino Europe ka vendosur të kërkojë shtyrje, për shkak të vonesave burokratike në Kinë. Shqetësim për trajnerin Montela është se çfarë përforcimesh mund të marrë në janar, pasi me këtë gjendje asgjë nuk është e qartë dhe as e mundur.