Atalanta drejt Championsit, mrekullia më e bukur e Serisë A

Le të harrojmë Juventusin që po dominon edhe më shumë se më parë, Napolin e Ançelotit që protestohet nga tifozët, dy skuadrat milaneze ende në kërkim të identitetit apo kryeqytetaset që mbeten gjithnjë në tentativë, Romën dhe Lacion. Le të merremi me mrekullinë e sezonit në Serinë A, Atalantën dhe vrapimin e saj drejt Championsit, padyshim historia më e bukur e vitit sportiv në Itali.

Fitorja 2-0 ndaj Udinezes e ngjiti në vend të katërt me 59 pikë, një pikë mbi Romën, dy pikë larg Torinos e Milanit dhe me tri pikë më shumë se Lacio. Marten De Ron me penallti dhe Mario Pashaliç ishin autorët e golave, me dramën që vazhdoi deri në minutën e 82-të, kur bergamaskët kaluan në epërsi. Pak ditë më parë, skuadra e trajnerit Gasperini arriti finalen e Kupës së Italisë duke eleminuar Fiorentinën (pasi eleminoi me herët Juven), dhe do të luajë për trofe ndaj Lacios.

Historia e Atalantës ngjan me atë të luftëtares së mitologjisë greke, me emrin Atalanta (nga klubi mori emërtimin), një gjuetare e egër që nuk donte të martohej, dhe që e mbylli jetën si një luaneshë. Edhe skuadra e sotme e Atalantës po i ngjan një luaneshe me forcën që po tregon në fushën e lojës. Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti, dy shqiptarët e kombëtares, janë me fat që bëjnë pjesë në këtë ekip, edhe pse ndodh që nuk luajnë.

Sfidanti.al