Siti në krye, Arsenali e Junajtidi janë të humburit e mëdhenj!

Emocionet ishin sërish të mëdha në Premier Ligën angleze, madje ato thuajse “dogjën” Mançester Sitin, ndërsa “morën në qafë” Arsenalin dhe Mançester Junajtidin. “Qytetarët” e Pep Guardiolës arritën një fitore (na falni për shprehjen) “me brekë nëpër këmbë” në fushën e Bërnlit, ku edhe goli pati nevojë për ndihmën e teknologjisë që të quhej i rregullt.

Gjuajtja e Kun Agueros u largua nga Metju Louton, por teknologjia e vijës së portës ndihmoi gjyqtarin që të kuptonte se topi kishte kaluar plotësisht vijën fatale, pra ishte gol. Guardiola u lehtësua në minutën e 64-ët, ndërsa Bërnli ia ngriti shumë nervat skuadrës së tij, duke qenë tepër i organizuar dhe shumë i vendosur në dyluftime. Që pas eleminimit nga Championsi, Siti duhet vlerësuar sepse ka arritur tri fitore radhazi në Premier Ligë, pa pësuar asgjë gol, por gjithashtu pa shkëlqyer si më parë. Titulli kampion fitohet edhe kështu, me nerva, vështirësi dhe pa futbollin “shampanjë” e “tiki taka”.

Sukseset e Sitit marrin edhe më shumë vlerë kur i krahason me dështimet e skuadrave që duan kualifikim për në Champions. Arsenali pësoi një humbje dërrmuese në fushën e Leisterit, pasi mbeti me 10 lojtarë në minutën e 36-të (Meitlend-Najls mori karton të kuq).  Pas pushimit, Tilemans e dy herë Xhemi Vardi fiksuan rezultatin 3-0 për “dhelprat”.

I rëndë edhe dështimi i Mançester Junajtidit në “Old Traford”. Skuadra e trajnerit Solskjer nuk po di të fitojë, dhe u ndal në barazim 1-1 nga Çelsi, pas një tjetër gabimi të portierit De Gea. Vendasit luajtën më shumë në sulm, por rastet ishin të pakta, me Huan Matën që shënoi për vendasit (ndaj ish-klubit të tij) dhe Markos Alonson që barazoi për blutë e Londrës. De Gea gaboi te goli, ashtu siç bëri edhe ndaj Barcelonës e Sitit, por shmangu golin e sigurt të Higuainit në fund, duke shpëtuar Junajtidin nga humbja.

Në garë për Championsin janë Totenhemi, Çelsi, Arsenali dhe Junajtidi, që ndahen nga vetëm 5 pikë, ndërsa mbeten edhe 180 minuta deri në fund të kampionatit. Në krye, Siti ka 92 pikë ndaj 91 të Liverpulit.

Sfidanti.al