Sfida e golave Ronaldo-Mesi në kuotat 600-598!

Dy legjendat e futbollit ndoshta mund të jenë në (kilo) metrat e fundit të karrierave, por Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi vazhdojnë të japin emocione në garën e tyre. Një prej sfidave është ajo e golave të shënuar ku portugezi, falë edhe moshës më të madhe, është ende përpara. Pasi shënoi në portën e Interit, në Derbin e Italisë, CR7-ta arriti i pari në 600 gola për klubet. Ronaldos i janë dashur mbi 800 ndeshje për t’u ngjitur kaq lart. Numri 7 ka ende një synim të madh në karrierë, të fitojë Këpucën e Artë në Serinë A, për t’u bërë i vetmi në histori që e fiton në Angli, në Spanjë dhe në Itali.

Mesi ndërkaq, i kursyer këto kohë në funksion të Championsit, nuk është se ka mbetur shumë prapa, përkundrazi. Argjentinasi i Barcelonës ka 598 gola, pra vetëm 2 më pak se Kristiano, ndërsa ka luajtur shumë më pak ndeshje, 681. Të gjitha këto vetëm me fanelën e Barcelonës. “Pleshti” pati nevojë për 45 minuta ndaj Levantes, pasi në pjesën e parë u mbajt në stol për të qenë i freskët të martën në Champions ndaj Liverpulit.

Sfidanti.al