Leklerk, “idioti” që mund të kërcënojë në Azerbajxhan

Ende pa dalë nga makina, që sapo e kishte përplasur, Sharl Leklerk nisi të “fshikullonte” veten. “Unë jam një idiot, jam një idiot”, – ishin fjalët ai i përsëriti disa herë duke komunikuar me njerëzit e skuadrës së tij të Ferrarit. Piloti 21-vjeçar nga Montekarlo pati shumë arsye për të qenë i mërzitur me vetveten, pasi “hodhi në erë” një shans të madh për “pole position” në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit.

Ai ishte më i shpejte gjatë të dyja seancave të provave të lira, si dhe gjatë seancës së parë të provave zyrtare. Papritur, në pjesën e dytë ai u përplas me murin rrethues të pistës së kryeqytetit Baku, duke dalë nga provat përfundimisht. Duke mos pasur kohë, Leklerk doli i 10-ti, por u ngjit i 9-ti pasi Antonio Xhovinaci i Alfa Romeos mori një dënim për shkak të motorit.

Pavarësisht se do të niset nga vendi i 9-të, Leklerk mund të jetë një rrezik për pilotët e vendeve të para, sidomos nëse do të arrijë të kalojnë shpejt Raikonenin, Norrisin, Kviatin dhe Perezin, për të mos mbetur prapa katërshes së kreut të përbërë nga Botas, Hamilton, Fetel e Verstapen. Leklerk është një pilot shumë i shpejtë, dhe Ljuis Hamilton ka thënë se shikon vetveten tek ai, dhe parashikon që shpejt monegasku do të nisë të mos u bindet urdhërave të skuadrës.

Sfidanti.al