Nga batutat e Klopit te golat e Salahut, tek Liverpuli të gjithë janë për rekord!

Ishte fitorja që duhej dhe që pritej. Liverpuli i bëri edhe herë detyrat në Premier Ligën anglez, duke dalë në krye qoftë edhe përkohësisht, ndërsa gara për titull mbetet e hapur. Pesë me zero ndaj Hadërsfildit ishte pikërisht suksesi që dëshironte stadiumi “Anfild”, ku ndodheshin afërsisht 55 000 tifozë, ndërsa trajneri Jurgen Klop, i bëri thirrje lojtarëve të tij që të shohin vetëm punën e tyre.

“Pse duhet të rrimë e të mendojmë që Siti do të gabojë? – nisi përgjigjen ai, në formë pyetjeje, – ndeshja jonë e radhës në kampionat është ndaj Njukasëllit, dhe duhet të mendojmë vetëm për të, kuptohet pasi të luajmë me Barcelonën. Nuk mund të presim dhurata nga fati, por duhet të bëjmë punën tonë. Nëse fitojmë ndeshjet tona, dhe Sitit i ndodh diçka, atëherë dalim kampionë. Nëse jo, do të themi se bëmë maksimumin tonë”.

Njeriu i ndeshjes ishte Mohamed Salah, dhe kjo jo vetëm sepse shënoi dy gola, por edhe sepse theu një rekord të klubit. Sulmuesi egjiptian arriti në 69 rrjeta në 100 ndeshje, diçka që askush tjetër nuk e kishte bërë në të kaluarën. Kampioni i botës i vitit 1996, Roxher Hant mbante rekordin e vjetër me 68, po aq sa Sem Rejbould, ndërsa legjenda si Xhon Olldrixh, Jan Rash apo Fernando Torres janë edhe më poshtë.

Liverpuli u duk në formë të madhe, pak ditë përpara gjysmëfinales së parë të Championsit ndaj Barcelonës që do të luhet të martën e 30 prillit në “Kamp Nou”. Nabi Keita shënoi që në minutën e parë ndaj Hadërsfildit, ndërsa Sadio Mane realizoi një dygolësh.

Gjithsesi, ka një shqetësim, dëmtimi i sulmuesit tjetër të rëndësishëm, Roberto Firmino. Braziliani ka probleme muskulore dhe mediat thonë se është në dyshim për Championsit, ndonëse trajneri Klop qetësoi tifozët duke thënë se është gjë e vogël. Liverpuli është në krye të Premier Ligës me 91 pikë pas 36 ndeshjesh, ndërsa Mançester Siti ka 89 pikë me 35 takime të luajtura.

Sfidanti.al