Kur nisin disfatat, fillojnë edhe “proceset” dhe gazetat, dihet, këtë punë kanë. Në “bankën e të akuzuarve” është Milani i Xhenaro Gatuzos, më së shumti vija e tij sulmuese, që mendohej të ishte “arma” më e fortë. Statistika nuk gënjen dhe “La Gazeta delo Sport” i referohet menjëherë. Në vitin 2019, Samu Kastijeho u bë shënuesi i dytë më i mirë i skuadrës, pas rrjetës së shënuar në fushën e Parmës.
Problemi është se Kastijeho ka vetëm 2 gola në 2019, po aq sa sulmuesit Kutrone dhe Suso, që po i shohin golat “me dylbi”. Jo vetëm kaq, por Gatuzo ka në krizë të thellë edhe alternativat e tjera të sulmit, si Borini, Paketa, Bilia, Bakajoko apo Muzakio. Të gjithë bashkë, kanë shënuar gjithsej 13 rrjeta, ndërsa Kristof Piontek ka 10 gola në 15 ndeshje. Gatuzo e di se sulmuesi polak nuk mund të bëjë mrekulli, ndaj duhet të “zgjojë” sa më shpejt lojtarët e tjerë ofensivë nëse dëshiron kualifikimin për në Champions.
Sfidanti.al