Kovaç tregon “hallin”: E kam shumë të vështirë me Goreckën

Një trajner ka dhimbje koke në dy raste, ose kur ka dëmtime të shumta që e pengojnë për formacionin, ose kur i ka të gjitha alternativat gati, që e bëjnë të vështirë përzgjedhjen. Deri diku, ky është problemi i Niko Kovaçit tek Bajerni, dhe njeriu që po ia bën më të vështirë për të marrë vendimet duket se qenka Leon Gorecka.

Futbollisti i kombëtares gjermane është çështje kur nuk luan, dhe gazetarët nuk ngurrojnë të ngacmojnë në “plagë”. “Është shumë, shumë e vështirë që ta lë jashtë formacionit Goreckën, – u përgjigj trajneri kroat, – Leoni ka bërë hapa të mëdha përpara, ka luajtur shumë ndeshje të mira, ka shënuar shumë gola. U detyrova ta lija jashtë me Dortmundin, dhe të aktivizoja Hamesin që gjithashtu luajti mirë. Ishte një vendim taktik”.

Gorecka kishte luajtur 19 ndeshje si titullar për Bajernin, ndërsa kundër Dortmundit (5-0) u la jashtë. “Ne po e fitonim ndeshjen 5-0 dhe unë nuk doja të ndryshoja ekipin që po fitonte”, – ishte përgjigja e Kovaçit se përse nuk e aktivizoi si zëvendësues Goreckën. Në ndeshjen e mëpasme ndaj Dyseldorfit (4-1), ai luajti vetëm 20 minuta, ndërsa kundër Verderit pak më shumë se 30 minuta. “E tillë është cilësia tek Bajerni, – justifikohet trajneri, – edhe ata që mbeten në stol janë lojtarë shumë të mirë, por unë do të përpiqem që të luajnë të gjithë”.

Sfidanti.al