Juventus do Champions? Atëherë Ronaldos i duhet një uellsian përkrah

Zhoao Feliks, Kieza, Zaniolo, De Ligt e Marselo, janë disa prej emrave të njohur të futbollit që janë lidhur me atë të Juventusit në merkaton e transferimeve, objektiva të realizueshëm këta për të përforcuar skuadrën e për të tentuar sërish kurorëzimin e ëndrrës Champions.

Megjithatë është dikush që mund t’i garantojë Zonjës së Vjetër të thyejë tabunë dhe që është siguruar që në merkaton e janari; Aron Ramsej. Mesfushori i Arsenalit nuk e ka fituar asnjëherë kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube, por është uellsian.

Në fakt Kristiano Ronaldo në të 5 herët që ka fituar Ligën e Kampioneve ka pasur gjithnjë përkrah një futbollist nga Uellsi; te Mancester Junajtid me të cilin fitoi në 2008 ishte Rajan Gigs, ndërsa në 4 triumfet evropiane në 5 vitet e fundit me Realin e Madridit kishte mbështetjen e Garet Bejl. kështu që ardhja e Ramsej mund të jetë një ogur i mirë për kampionët e Serisë A që dominojnë në Itali, ndërkohë që në Evropë janë të mallkuar.

sfidanti.al