Çfarë shpirti skuadre tek Dortmundi, shembullin e jep Rojsi

Ishte minuta e 85-të e ndeshjes së Bundesligës, Frajburg-Dortmund, dhe skuadra mike fitoi të drejtën e një penalltie. Tifozët nuk kishin dyshim se kush do të ishte “ekzekutori”, pikërisht kapiteni “shigjetar” Marko Rojs. Veçse jo, Rojsi tërhiqet dhe ia jep topin spanjollit Pako Alkaser, që kishte hyrë në lojë si zëvendësues. Alkaser falenderoi për dhuratën dhe, duke pasur edhe fat, e ktheu 11-metërshin në gol.

Pas ndeshjes, Rojsi u pyet për gjestin e tij (që, e ka bërë tek Barcelona disa herë Lionel Mesi, duke i dhënë penalltinë Nejmarit, Suarezit deri edhe Maskeranos). “Pako po kalonte kohë të vështira dhe ne duhet të jemi së pari shokë, së pari skuadër, – tha kapiteni, – ishte e rëndësishme që të ndihmohen lojtarët në momente të vështira”.

Rojsi e kishte fjalën për dëmtimet e pësuara nga Alkaseri, që e kanë detyruar të jetë vetëm 9 herë në formacion, në 24 ndeshje të Bundesligës, u zëvendësua 13 herë, madje dy herë mbeti krejtësisht në stol. Kjo nuk e ka penguar spanjollin që të jetë shënuesi më i mirë i Dortmundit, madje tashmë ka 17 gola, po aq sa Luka Joviç i Ajntrahtit të Frankfurtit. Vetëm Robert Levandovski është mbi ta, me 21 gola.

Sfidanti.al